Parlamenti Evropian: Kosova të dalë nga kriza politike ose rrezikon fondet milionëshe të BE-së

Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë të gjerë rezolutën për Kosovën, duke dërguar një mesazh të qartë se vazhdimi i reformave dhe përparimi në dialogun me Serbinë mbeten vendimtarë për të ardhmen evropiane të vendit. Rezoluta u miratua me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime, ndërsa eurodeputetët shprehën mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht ngritën shqetësime serioze për krizën e vazhdueshme politike dhe pasojat që ajo mund të ketë në proceset integruese. Dokumenti thekson se ngërçi politik dhe polarizimi institucional po rrezikojnë zbatimin e reformave të kërkuara nga Brukseli, duke paralajmëruar se Kosova mund të humbë dhjetëra milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së nëse nuk arrin të përmbushë obligimet e saj brenda afateve të përcaktuara. Parlamenti Evropian rikujton se Kosovës i janë ndarë rreth 882 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por thekson se përfitimi i këtyre fondeve lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave dhe funksionimin normal të institucioneve. Në rezolutë kërkohet gjithashtu që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat sapo të plotësohen kriteret e nevojshme, ndërsa pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian u bëhet thirrje ta njohin pavarësinë e Kosovës për të mundësuar avancimin e saj të barabartë në procesin e integrimit.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet dialogut Kosovë–Serbi, i cili cilësohet si pjesë integrale e perspektivës evropiane të të dyja vendeve. Eurodeputetët kërkojnë përparim konkret në procesin e normalizimit dhe insistojnë që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të dalin para drejtësisë, duke shprehur keqardhje që Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapa ndaj organizatorëve të këtij sulmi. Rezoluta përshëndet edhe heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke vlerësuar se ato ishin të pajustifikuara dhe kishin ndikuar negativisht në zhvillimin e vendit. Mesazhi kryesor i Parlamentit Evropian është se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet e hapur, por ajo varet nga stabiliteti politik, reformat, funksionalizimi i institucioneve dhe përparimi në dialogun me Serbinë.

Kontrolloni gjithashtu

Bllokada në Kuvend rrezikon Kosovën të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po rrezikon seriozisht zbatimin e reformave të parapara në …