Behxhet Shala

Behxhet Shala me akuza të ashpra ndaj pushtetit: Po sulmohen vlerat e luftës dhe figurat kombëtare

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka publikuar një reagim të gjatë kritik ndaj zhvillimeve politike në Kosovë, duke akuzuar pushtetin aktual për sulme sistematike ndaj vlerave të luftës çlirimtare, figurave kombëtare dhe familjeve simbol të rezistencës shqiptare. Sipas Shalës, pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, ish-të burgosurit politikë, veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve po përballen me fushata denigruese nga eksponentë të pushtetit dhe persona të afërt me të. Ai veçoi familjet Jashari dhe Haradinaj, duke vlerësuar se sulmet ndaj tyre përbëjnë sulme ndaj vetë historisë së luftës për liri. Në reagimin e tij, Shala kritikoi ashpër edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të cilin e konsideron përgjegjës për klimën e polarizimit politik dhe përçarjes shoqërore. Ai akuzoi disa zyrtarë dhe mbështetës të pushtetit për gjuhë fyese dhe përpjekje për diskreditimin e figurave që, sipas tij, kanë kontribuar në shtetformimin e Kosovës. Një pjesë e konsiderueshme e shkrimit i kushtohet edhe opozitës. Shala vlerëson se partitë opozitare nuk duhet të hyjnë në asnjë formë bashkëpunimi me Vetëvendosjen dhe kërkon riorganizim të thellë politik. Ai sugjeron ndryshime në udhëheqjen e partive më të mëdha opozitare, duke argumentuar se vetëm një opozitë e reformuar mund të përballet me sfidat e ardhshme politike. Duke komentuar situatën e përgjithshme, Shala paralajmëron se Kosova mund të përballet me zhvillime të vështira si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Sipas tij, vendi ka nevojë për bashkim të forcave politike dhe patriotike që kanë kontribuar në procesin e çlirimit, shtetformimit dhe ndërtimit të institucioneve.

Kontrolloni gjithashtu

Bllokada në Kuvend rrezikon Kosovën të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po rrezikon seriozisht zbatimin e reformave të parapara në …