Kryetari Aliu mban takimin e parë publik me qytetarët, prezanton projektet e realizuara dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka mbajtur të mërkurën takimin e parë publik me qytetarët, ku u diskutuan të arriturat, sfidat dhe projektet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, si dhe Korniza Afatmesme Buxhetore për periudhën 2027–2029.

Takimi mblodhi një numër të madh qytetarësh, përfaqësues të fshatrave dhe zonave urbane, të cilët për disa orë diskutuan dhe parashtruan pyetje e shqetësime lidhur me nevojat dhe prioritetet e komuniteteve të tyre. Gjatë diskutimit u theksuan investimet e realizuara nga Komuna e Ferizajt në të gjitha fshatrat dhe zonat urbane, për të cilat përfaqësuesit lokalë shprehën falënderime për qeverisjen komunale.

Në hapje të takimit, Kryetari Aliu i informoi të pranishmit për punët dhe projektet e realizuara, si dhe për aktivitetet që kanë shënuar gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ai theksoi se Komuna ka vazhduar me përmbushjen e zotimeve dhe planifikimin financiar, si pjesë e angazhimeve ndaj qytetarëve.

“Neredimja u bë me shkollë të re dhe moderne, rregulluam fushën sportive model me gjithë infrastrukturën përcjellëse në shkollën ‘Jeronim de Rada’, ndërsa nisëm projektin ‘Green Schools Initiative’ në Ferizaj, ku Gjimnazi ‘Kuvendi i Arbërit’ është përfitues i investimeve në efiçiencë të energjisë. Po ashtu, diplomoi gjenerata e parë e mësimit dual, ku përmes kësaj forme moderne të arsimit nxënësit kanë përfituar njohuri dhe aftësi profesionale përmes përvojës praktike në kompani, duke u përgatitur më mirë për tregun e punës”, u shpreh Aliu.

Ai u ndal edhe te përurimi i parkut të ri në Varosh, në kuadër të projektit për krijimin e infrastrukturës turistike, i realizuar në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

“Po ashtu, kemi përfunduar parkun në Neredime, ku janë realizuar investime të shumta për rivitalizimin e tij, përfshirë fushën sportive, shtigjet e ecjes dhe vrapimit, hapësirat për qëndrim dhe rekreacion, si dhe urat që lidhin dy anët e lumit. Kemi mbjellë qindra drunj dekorativë dhe lule në rrethrrotullime, parqe ekzistuese dhe hapësira të tjera publike. Falë projekteve dhe nismave të shumta në fushën e mjedisit, Ferizaj është renditur i pari ndër komunat e mëdha në Indeksimin e Komunave, bazuar në masat e ndërmarra për mjedisin dhe efiçiencën e energjisë për vitin 2025, sipas vlerësimit të Atlas Institute”, tha Aliu.

Ai i njoftoi të pranishmit edhe për nënshkrimin e disa memorandumeve të bashkëpunimit.

“Kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Fondacionin Sheikha Fatima Bint Mubarak për Gruan, përmes të cilit do të ofrohen falas trajnime dhe kurse të ndryshme për vajzat dhe gratë e Ferizajt, si kurse të gjuhës angleze, teknologji informative, rrobaqepësi, menaxhim të ndërmarrjeve të vogla, pastiçeri e fusha të tjera.

Po ashtu, bashkë me GIZ-in për Kosovë kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës Ferizaj bëhet pjesë e programeve të trajnimit, mentorimit, rrjetëzimit dhe mbështetjes së bizneseve të udhëhequra nga gratë”, tha ai.

Kryetari përmendi gjithashtu investimet e realizuara në sektorët e shëndetësisë, bujqësisë, zhvillimit ekonomik dhe turizmit, si dhe në kulturë, rini dhe sport.

Në pjesën e fundit të takimit, Aliu prezantoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029, duke theksuar se për vitin 2027 është planifikuar një buxhet total prej 56,102,329 euro. Nga kjo shumë, 15.2 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale, rreth 2.88 milionë euro për subvencione, 1.45 milionë euro për shpenzime komunale, 12.05 milionë euro për mallra dhe shërbime, ndërsa 24.51 milionë euro për paga dhe mëditje.

Qytetarët e pranishëm vlerësuan lart punën dhe angazhimin e kryetarit Aliu, duke shprehur mirënjohje për projektet e realizuara. Gjatë diskutimit, ata parashtruan një sërë kërkesash, përfshirë rregullimin e rrugëve dhe trotuareve, shtrimin me zhavorr të rrugëve bujqësore, përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërtimin e fushave sportive, si dhe rregullimin e parqeve publike.

Pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve iu përgjigjën drejtorët e drejtorive komunale, ndërsa për shumë çështje konkrete sqarime shtesë dha edhe vetë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Ramosaj: Bacë Hilmi Haradinaj, simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë homazhe dhe ka nderuar figurën e Bacë Hilmi …