Edi Rama pas rezolutës së PE-së: Flamingot dhe Vjosë–Narta do të mbrohen, Zvërneci do të zhvillohet sipas standardeve të BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Parlamenti Evropian për Shqipërinë, duke komentuar edhe debatet që kanë shoqëruar projektet zhvillimore në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe në Zvërnec. Rama deklaroi se Parlamenti Evropian ka dalluar, sipas tij, faktet nga “stuhia digjitale e dizinformimit” që ka shoqëruar diskutimet për Vjosë–Nartën, duke theksuar se çështja e zhvillimit të Zvërnecit nuk është në kundërshtim me mbrojtjen e mjedisit. Sipas kryeministrit, amendamenti i përfshirë në rezolutë nuk pasqyron qëndrimin e shumicës së eurodeputetëve, ndërsa siguroi se mbrojtja e biodiversitetit do të mbetet prioritet. “Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë–Narta do të mbrohet, ndërsa Zvërneci do të zhvillohet mbi bazën e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama. Ai e cilësoi rezolutën e Parlamentit Evropian si një sinjal pozitiv për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se vlerësimi i institucionit evropian konfirmon përparimin e vendit në procesin e integrimit. Rama tha se debatet për mbrojtjen e mjedisit nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë zbatimin e projekteve zhvillimore dhe reformave në përputhje me standardet evropiane.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala

Behxhet Shala me akuza të ashpra ndaj pushtetit: Po sulmohen vlerat e luftës dhe figurat kombëtare

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka …