Ish-ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas publikimit të raportit të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke e cilësuar atë si një dokument që ngre shqetësime serioze për funksionimin e Gjykatës speciale në Hagë. Sipas Manjës, raporti nuk është një dokument politik apo i hartuar nga mbështetës të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por një vlerësim i pavarur nga një institucion prestigjioz juridik britanik, i cili analizon nëse gjykata po respekton standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Ai thekson se raporti ngre pikëpyetje mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës, përdorimin e provave, paraburgimet e zgjatura dhe ndikimin e mundshëm të faktorëve ndërkombëtarë në funksionimin e saj. Manja veçon gjithashtu shqetësimet e raportit lidhur me përdorimin e materialeve të ardhura nga autoritetet serbe dhe administrimin e provave në proces. Sipas tij, sfida më e madhe për gjykatën speciale nuk është vetëm dhënia e një vendimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, por fitimi i besimit të publikut në drejtësinë e procesit. “Nëse standardi i provës nuk është absolutisht bindës, nëse dyshimet mbi burimin dhe administrimin e provave mbeten dhe nëse paraburgimi shumëvjeçar vazhdon të perceptohet si ndëshkim paraprak, atëherë çdo vendim do të mbetet i shoqëruar nga hija e dyshimit”, shkruan Manja. Në përfundim, ai argumenton se drejtësia nuk matet me ashpërsinë e vendimeve, por me besimin që arrin të krijojë, duke shtuar se një gjykatë që prodhon më shumë pikëpyetje sesa bindje rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj në sytë e publikut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
