Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me protestën masive të mbajtur të shtunën, më 20 qershor, në Tiranë, duke kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mos përfshihet në debatet politike që lidhen me këtë ngjarje. Rama iu referua komenteve të një qytetareje, duke theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, por qytetarë të një shteti fqinj dhe pjesë shtetformuese e tij. Sipas tij, e njëjta vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur. Ai kritikoi paraqitjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e Tiranës si “diasporë”, duke vlerësuar se kjo, së bashku me përdorimin e flamujve kombëtarë dhe atyre të UÇK-së, dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon. “Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme…”, ka shkruar Rama. Në fund të reagimit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se qëndrimi i tij nuk lidhet me kryeministrin e Kosovës, duke kërkuar që emri i Albin Kurtit të mos përdoret në këtë kontekst. “Dhe mos të spekulojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj përgjegjës për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, ka përfunduar Rama.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
