Behxhet Pacolli: Të hënën rifillojnë punimet në Aeroportin e Vlorës

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar se të hënën kompania MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rikthehet në kantier për të rifilluar punimet në Aeroportin e Vlorës. Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se rifillimi i punimeve do të bëhet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë, vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026, si dhe me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe qëndrimin publik të kryeministrit Edi Rama që projekti të mos pengohet nga interesa të ngushta apo veprime të paligjshme. Sipas Pacollit, punimet ishin bllokuar për disa muaj si pasojë e veprimeve të personave që, sipas tij, kanë ndërhyrë pa bazë ligjore dhe pa kompetenca. Ai pretendon se gjatë kësaj periudhe aktiviteti në kantier u ndërpre në mënyrë të dhunshme, ndërsa me mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit u sekuestruan pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve. Pacolli theksoi se rikthimi në kantier shënon rivendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve gjyqësore dhe atyre kompetente, duke i hapur rrugë vazhdimit dhe përfundimit të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. “MABCO kërkon drejtësi, transparencë dhe legjitimitet, si dhe mbështetjen konstruktive të institucioneve, në mënyrë që Aeroporti i Vlorës të përfundojë sa më shpejt dhe të hapet për operim”, ka deklaruar Pacolli.

Kontrolloni gjithashtu

Reduktimi i KFOR-it, Evropa përgatitet të forcojë praninë ushtarake në Kosovë

Reduktimi i planifikuar i pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë ka nxitur aleatët evropianë …