Zona përreth Liqenit të Badocit, një prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë, është përfshirë sërish nga ndotja me mbeturina, duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e furnizimit me ujë për mijëra qytetarë. Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” ka publikuar fotografi nga terreni, ku shihen sasi të konsiderueshme mbeturinash në afërsi të digës së liqenit. Sipas organizatës, bëhet fjalë për të njëjtat zona që më parë ishin pastruar përmes aksioneve vullnetare me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe institucioneve. Përfaqësuesit e organizatës theksojnë se ndotja po përsëritet vazhdimisht dhe se aksionet e pastrimit nuk mjaftojnë për ta zgjidhur problemin në mënyrë afatgjatë. Ata kërkojnë angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse, rritje të kontrolleve në terren dhe zbatim të masave ndëshkuese ndaj ndotësve. Sipas organizatës, neglizhimi i situatës mund të ketë pasoja serioze për cilësinë e ujit të pijshëm dhe ekosistemin e Liqenit të Badocit, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve. Liqeni i Badocit është një nga burimet më të rëndësishme të furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën dhe zonat përreth, ndërsa mbrojtja e tij konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë për shëndetin publik dhe mjedisin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
