Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dalë me një sqarim publik pas deklaratave të tij lidhur me çështjen e presidentit, duke theksuar se qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar. Haziri ka bërë të ditur se Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër i nominuar nga radhët e LDK-së për postin e presidentes së vendit. Ai tha se, në kuadër të debatit paszgjedhor, ka paraqitur parimet dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm politik me qëllim të krijimit të stabilitetit institucional dhe politik në vend, por pa ndryshuar qëndrimet zyrtare të partisë. Haziri theksoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në periudhën e ardhshme, ndërsa çdo kërkesë apo iniciativë politike do të trajtohet brenda strukturave legjitime të partisë. Në fund të reagimit, ai nënvizoi rëndësinë e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se koncepti “një parti, një shtet” është i papranueshëm dhe i dështuar. “Askush mbi Republikën”, ka përfunduar Haziri në mesazhin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
