Në kuadër të Javës Çame, në Prishtinë u hap një ekspozitë kushtuar vuajtjeve dhe masakrave që shqiptarët e Çamërisë përjetuan 82 vjet më parë.
Kryetari i kësaj shoqate, Nexhmi Muçiqi tha se kështu po kontribojnë për të mos harruar të kaluarën.
“Çamëria është lule që ka nevojë të ujitet për çdo ditë. Jo që po bëjmë ne një punë të madhe, por besoj dhe jam i bindur që po i kontribuojmë mos-harresës, po i kontribuojmë gjeneratave të reja që mos të harrojnë. Pra, 82 vite jo rastësisht Greqia mundohet ta zgjasë këtë çështje që shqiptarët të harrojnë. Por, zotërinj të nderuar, jo, shqiptarët nuk do të harrojnë, do të punojnë me gjenerata brez pas brezi.”
Të ftuarit e tjerë thanë se Çamëria është një plagë e thellë që ende nuk është shëruar.
Çamëria përfaqëson vuajtjen, të bërit dhe sakrificën e një popullsie të tërë, e cila u përball me persekutim, masakra dhe spastrimin e saj nga trojet ku kishte jetuar prej shekujsh. Fotografitë që shohim sot janë dëshmi të heshtura të një kohe të errët. Ato flasin për familje të shkatërruara, për fëmijë të mbetur jetimë, për gra e pleq të vrarë ose të detyruar të lënë pas gjithçka që kishin ndërtuar ndër breza.
Organizatorët nga Shoqata “Çamëria” thanë se aktiviteti synon të informojë publikun për krimet dhe dëbimin e shqiptarëve çamë gjatë viteve 1944-1945.
Përkujtimi po zhvillohet edhe përmes aktiviteteve në shkolla dhe promovimit të botimeve të reja për historinë e Çamërisë. Ndërkaq, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e unitetit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Sipas të dhënave historike, mbi 5 mijë shqiptarë çamë humbën jetën gjatë masakrave dhe dëbimeve të asaj periudhe.
Java çame kulmon në 27 qershor në Qafë-Botë, ndërsa gjatë ditëve janë mbajtur aktivitete përkujtimore.
Shoqata Çamëria Kosovë vendos kurorë të zezë para Ambasadës Greke në Prishtinë në kujtim të viktimave çame
Shoqata Çamëria në Kosovë në krye me kryetarin e saj, z. Nexhmi Muçiqi, sot në mes të javës qame zhvilluan aksionin Kurora e Zezë që u vendos përpara Ambasadës greke në Prishtinë, si shenjë revolte ndaj gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
