Më 23 prill të këtij viti u nda nga jeta akademik Rexhep Qosja, njëri ndër mendjet më të ndritura që ka nxjerrë kombi shqiptar. Studiues, shkrimtar, kritik letrar, albanolog, intelektual dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, ai la pas një trashëgimi që vështirë mund të matet me emra të tjerë të kohës sonë.
Në një akt që e karakterizonte tërë jetën e Tij, me modesti dhe larg çdo shfaqjeje pompoze, akademik Rexhep Qosja kishte lënë amanet që varrimi i tij të bëhej pa ceremoni shtetërore, pa konferenca, pa fjalime politike, pa homazhe publike e pa tubime madhështore. Vetëm familja e ngushtë. Një amanet i rrallë, që dëshmonte edhe një herë se për të vlera e njeriut nuk matet me ceremonitë pas vdekjes, por me veprën që lë pas.
Dhe amaneti i tij u respektua.
Por, me kalimin e ditëve, javëve dhe muajve, lind një pyetje që nuk mund të shmanget: a u respektua vetëm amaneti për varrimin, ndërsa u harrua detyrimi moral për ta kujtuar dhe nderuar veprën e tij?
Kaloi një javë nga ndarja e tij nga jeta. Kaloi një muaj. Kaluan dy muaj. Dhe pothuajse askund nuk u pa një orë letrare, një tryezë shkencore, një akademi përkujtimore, një debat universitar apo një aktivitet institucional që do t’i kushtohej figurës dhe kontributit të tij. Heshtje…
Është e vështirë të kuptohet se si institucionet tona kulturore, akademike e arsimore nuk gjetën kohë për të ndalur qoftë edhe për një orë e për të reflektuar mbi jetën dhe veprën e njeriut që për dekada të tëra i shërbeu gjuhës shqipe, letërsisë, albanologjisë dhe identitetit kombëtar.
Profesor Rexhep Qosja nuk ishte thjesht autor librash. Ai ishte një institucion më vete. Breza të tërë studentësh janë formuar përmes veprave të tij. Debatet e tij shkencore kanë ndikuar në zhvillimin e mendimit shqiptar. Qëndrimet e tij publike kanë lënë gjurmë në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve. Ai ishte ndër zërat më të fuqishëm të ndërgjegjes sonë kombëtare.
Prandaj, kujtimi i tij nuk është çështje ceremonish. Nuk është as çështje protokolli. Është çështje kulture, kujtese dhe përgjegjësie.
Akademik Rexhep Qosja do të ishte i pari që nuk do të kërkonte lavde pas vdekjes. Por pikërisht sepse AI nuk kërkoi asgjë për veten, ne kemi edhe më shumë detyrim të mos harrojmë atë që bëri për ne.
Një komb që nuk kujton njerëzit e dijes, rrezikon të humbasë kujtesën e vet. Një shoqëri që harron kolosët e kulturës së saj, varfërohet shpirtërisht. Dhe kur heshtja bëhet më e madhe se vepra, atëherë problemi nuk është te ai që u largua nga kjo botë, por te ne që mbetëm.
Profesor Rexhep Qosja e njohu mirë popullin e tij. Ndoshta aq mirë, saqë edhe amaneti i tij dukej sikur mbante brenda një parandjenjë të hidhur. Sot, pas gjithë këtyre javëve heshtjeje, mbetet vetëm dëshira që institucionet shqiptare të reflektojnë dhe të gjejnë mënyrën e duhur për të nderuar jo ceremoninë e largimit të tij, por madhështinë e veprës që ai i la kombit shqiptar.
Sepse njerëz të tillë nuk kujtohen për një ditë. Ata duhet të jetojnë përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
