Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka vlerësuar se është e rëndësishme që Kosova të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji, ndërsa ka shprehur keqardhje për zvarritjen e vendimmarrjes lidhur me projektin e gazit amerikan. Westerlund theksoi se nuk dëshiron të marrë qëndrim për mënyrën më të mirë të realizimit të këtij projekti, duke lënë vendimmarrjen në duart e institucioneve të Kosovës. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët dhe ekonomia të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta arritur këtë dhe nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë do t’ia lë qeverisë dhe negociatave të saj me aktorët ndërkombëtarë. Është për të ardhur keq që kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë”, ka deklaruar ai. Sipas ambasadorit suedez, vonesat në marrjen e një vendimi përfundimtar ndikojnë negativisht në promovimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk e kanë refuzuar projektin e gazit, por se çështja kërkon analiza të detajuara dhe diskutime në nivel institucional dhe ekspertësh. Ajo ka theksuar se vendimet për projekte të tilla nuk mund të reduktohen në përgjigje të thjeshta me “po” ose “jo”, por duhet të bazohen në përfitimet, kostot dhe interesin publik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
