Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje politike për presidentin duhet të jetë hapi i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja, duke paralajmëruar se në të kundërtën vendi mund të përballet me zgjedhje të reja. Abdixhiku ka kundërshtuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka propozuar që fillimisht të zgjidhen Kuvendi dhe Qeveria, e më pas presidenti. “Duhet nisur nga rëndësia, nga pesha, nga presidenti. Nëse ndodh ndryshe, do të kemi zgjedhje të reja. Kaq e thjeshtë është”, është shprehur ai. Sipas tij, pozicioni aktual i LVV-së nuk lë hapësirë për një marrëveshje politike, ndërsa ka vlerësuar se zhvillimet e fundit brenda LDK-së kanë ndikuar në forcimin e këtij qëndrimi nga ana e partisë në pushtet. Abdixhiku ka theksuar se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje për vendin në këtë periudhë, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj atyre që i mbështesin ato. “Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës”, ka deklaruar ai. Lidhur me mundësinë e negociatave me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kreu i LDK-së ka thënë se një takim eventual do të kishte në fokus vetëm parimet dhe marrëveshjet politike, duke përjashtuar çdo kompromis që, sipas tij, do ta vinte partinë në pozitë të nënshtruar. “Që duhet të ketë marrëveshje politike, as që diskutohet”, ka shtuar Abdixhiku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
