Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka vlerësuar se dallimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian janë thelluar gjatë viteve të fundit, duke ndikuar edhe në zhvillimet politike në Kosovë. Përmes një reagimi publik, ai ka ngritur disa çështje që, sipas tij, lidhen me këtë dinamikë gjeopolitike, duke përmendur kryeministrin Albin Kurti, Marrëveshjen e Uashingtonit, projektin e gazit amerikan, Gjykatën Speciale, protestat në Shqipëri, si dhe raportet e Kosovës me Serbinë dhe Izraelin. “Ata që nuk e kanë kuptuar se tash e disa vite SHBA dhe Evropa (BE) kanë dallime të cilat po vazhdojnë të rriten e komplikohen, nuk do të jenë në gjendje ta kuptojnë drejtë, as ta analizojnë si duhet”, ka shkruar Abdullahu. Ai nuk ka elaboruar më tej qëndrimet e tij për këto tema, por ka lënë të kuptohet se ato kërkojnë një trajtim më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës. Sipas Abdullahut, bëhet fjalë për zhvillime dhe procese politike që “kërkojnë shpjegim shumë më të gjatë”, duke sugjeruar se ndikimi i marrëdhënieve SHBA-BE në rajon dhe në Kosovë meriton analizë të veçantë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
