Analisti politik Ethem Çeku vlerëson se Beteja e Kosovës e vitit 1389, ndonëse një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë mesjetare të Ballkanit, është shndërruar me kalimin e kohës në një mit politik me ndikim në identitetin kombëtar serb dhe në pretendimet territoriale ndaj Kosovës. Miti i Kosovës mori formë gjatë shekullit XIX në periudhën e romantizmit evropian dhe Rilindjes Kombëtare Serbe, ku përmes “Ciklit të Kosovës” figura e princit Lazar u ngrit në simbol të sakrificës kombëtare. Këto interpretime, sipas studiuesve, përfaqësojnë më shumë ndërtim ideologjik të mëvonshëm sesa pasqyrim të burimeve historike të vitit 1389. Në shekullin XIX dhe më pas, ky mit u përdor në funksion të projekteve politike serbe, përfshirë “Naçertania”-n e vitit 1844, si dhe në politikat shtetërore gjatë Luftërave Ballkanike dhe Jugosllavisë, duke shërbyer si bazë ideologjike për pretendime territoriale dhe trajtime diskriminuese ndaj shqiptarëve. Kulmin simbolik miti e arriti më 28 qershor 1989 në Gazimestan, kur u përdor për mobilizim politik nga Slobodan Milosheviç. Në përfundim, autori thekson se Beteja e Kosovës duhet trajtuar si ngjarje historike mesjetare dhe jo si bazë për pretendime moderne, ndërsa institucionet shkencore shqiptare duhet të thellojnë studimet mbi historinë kombëtare me metodologji bashkëkohore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
