Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të futet sërish në një bllokadë institucionale, duke akuzuar partitë politike se po fokusohen në ndarjen e posteve dhe jo në zgjidhjen e krizës politike. Tahiri ka thënë se debatet rreth asaj nëse duhet të zgjidhet fillimisht presidenti apo qeveria tregojnë qartë se prioriteti i disa akterëve politikë është sigurimi i pozitave, e jo funksionalizimi i institucioneve të vendit. “Kosova ka rrezik të madh të përsëritet, me hy prapë në bllokadë. Fakti që diskutohet a duhet më së pari të zgjidhet presidenti apo qeveria, nënkupton që ideja është me kapë një post. Ne jemi partia e vetme e cila ka dhënë platformë për të dalë nga kriza, pa kërkuar asnjë post apo pjesëmarrje në qeverisje”, ka shkruar Tahiri. Sipas tij, AAK-ja ka ofruar një alternativë për tejkalimin e ngërçit politik pa vendosur kushte për pushtet, duke insistuar se interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesat partiake. Deklarata e Tahirit vjen në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me paqartësi rreth krijimit të institucioneve të reja, ndërsa paralajmërimet për një bllokadë të re politike po shtohen nga aktorë të ndryshëm të skenës politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
