Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: Rikthimi i emrit të Titos në Tetovë është kthim te simbolikat e një regjimi që shtypi shqiptarët

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, duke vlerësuar se ato cenojnë kujtesën historike, identitetin kombëtar dhe frymën e bashkëjetesës së ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit. Hoxhaj ka thënë se rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e simbolikës së një regjimi që, sipas tij, shtypi shqiptarët për dekada dhe la pasoja të rënda në historinë e rajonit. “Vendimet për të rikthyer emërtimet e periudhës jugosllave në Tetovë prekin kujtesën historike, identitetin dhe frymën mbi të cilën u ndërtua bashkëjetesa pas Marrëveshjes së Ohrit. Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e një simbolike të regjimit që shtypi shqiptarët për dekada”, ka shkruar Hoxhaj. Ai ka lidhur këtë çështje edhe me trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave, duke kujtuar rolin e saj në krimet e kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, përfshirë luftën në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Hoxhaj ka vlerësuar se çdo veprim që cenon frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit përbën një hap prapa për demokracinë, paqen dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke insistuar se shqiptarët meritojnë respektim të plotë të të drejtave të tyre dhe jo rikthim në simbolikat e së kaluarës jugosllave.

Kontrolloni gjithashtu

195 milionë euro drejt Shqipërisë, AKB: Kosova po mban gjallë turizmin shqiptar, ndërsa bregdeti vendor mbetet në hije

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të …