Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka kujtuar procesin e miratimit të ligjeve për mandatimin ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Sipas Ramadanit, vendimi politik kishte qenë që ligjet për transformimin e FSK-së të miratoheshin gjatë sesionit vjeshtor të vitit 2018, pa ndryshime kushtetuese, pasi një proces i tillë, sipas tij, bllokohej nga Serbia dhe Rusia përmes përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës. Ai ka theksuar se në atë periudhë ishte siguruar edhe mbështetja e partnerëve perëndimorë për të tejkaluar pengesat politike dhe për të mundësuar avancimin e mandatit të FSK-së drejt ushtrisë së Kosovës. Ramadani e ka vlerësuar miratimin e këtyre ligjeve si momentin kulmor të shtetësisë së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe të sovranitetit të vendit. “Miratimi i ligjeve për Ushtrinë e Kosovës ishte momenti kulmor i shtetësisë sonë pas shpalljes së pavarësisë. Nga ai zhvillim historik kanë kaluar tashmë dhjetë vjet, ndërsa rëndësia e tij mbetet themelore për sigurinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Ramadani. Deklarata e tij rikthen në vëmendje një prej proceseve më të rëndësishme institucionale në historinë e Kosovës, i cili shënoi transformimin e FSK-së në një forcë me mandat ushtarak dhe hapi rrugën për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
