Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: REAGIM I DREJTË I REFIK HASANIT

Kundër fyerjeve dhe nënçmimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga Blerim Isufaj!

Shtrohet pyetja: kush është Blerim Isufaj dhe me ç’të drejtë i fyen vëllezërit shqiptarë të Luginës? Si mund të gjykojë ai se si jetojnë shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, duke i quajtur ata frikacakë apo të nënshtruar para xhandarmërisë serbe?

Si mund të thuhet se nuk janë patriotë, se nuk bëjnë asgjë për veten dhe të drejtat e tyre, se nuk protestojnë dhe nuk kundërshtojnë gjendjen në të cilën ndodhen?

Të gjitha këto i pashë në reagimin e Refik Hasanit dhe pajtohem me ato që ai ka renditur, duke filluar nga referendumi i shqiptarëve të Kosovës Lindore, ku ata u shprehën vullnetarisht dhe unanimisht për bashkim me Kosovën.

Po ashtu, lufta çlirimtare e UÇPMB-së dhe Marrëveshja e Konçulit, e arritur me ndërhyrjen e faktorëve ndërkombëtarë, janë dëshmi të përpjekjeve dhe sakrificës së tyre.

Ngritja, promovimi dhe përjetësimi i dëshmorëve në pllaka përkujtimore dhe lapidarë të luftës së vitit 2000, si dhe protestat për të mos lejuar heqjen e lapidarit pranë Komunës së Preshevës, janë dëshmi të rezistencës së vazhdueshme. Po ashtu, reagimet dhe angazhimi i tyre në Parlamentin e Serbisë dhe në institucionet e tjera, nga Beogradi deri në nivel lokal, tregojnë përpjekjet e pandërprera për të drejtat e tyre.

Kjo pjesë e atdheut ka rezistuar historikisht. Shqiptarët e saj kanë luftuar me armë dhe gryka e Karadakut ka qenë gjithmonë simbol i trimërisë.

Që nga vitet 1876–1878, kur Toplica u zbraz tërësisht nga shqiptarët autoktonë përmes dhunës dhe masakrave të kryera nga forcat serbe, me mbështetjen e Rusisë dhe nën heshtjen e fuqive evropiane, historia e tyre ka qenë histori e sakrificës dhe qëndresës. U dëbuan me zjarr e luftë nga 714 fshatra, nga Nishi e deri në zonat ku sot ende jetojnë shqiptarë.

Po të mos kishin rezistuar shqiptarët e Luginës dhe të viseve të tjera, zbrazja e trojeve shqiptare do të kishte depërtuar edhe më thellë në Kosovë.

Fatkeqësisht, shqiptarët e dëbuar nga Toplica u quajtën “muhaxhirë”, pa u kuptuar padrejtësia historike që iu bë atyre në tokat e veta.

Kosova Lindore është si maja e shpatës në dorën e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Nëse nuk e mbajmë fort dhe nuk e mbrojmë fuqishëm, rrezikojmë shumë. Edhe shqiptarët e Luginës janë të lidhur fort me tokën e tyre dhe e mbrojnë atë me vendosmëri.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se shpata nuk pret vetvetiu; ajo kërkon forcë dhe vendosmëri për ta mbajtur.

Lloji i njerëzve si Blerim Isufaj, sipas mendimit tim, i fërkonin duart kur zhvillohej lufta në Luginë gjatë vitit 2000 dhe dërgonin porosi që të mos rezistohej, ashtu siç ndodhi edhe kur u hoq lapidari pranë Komunës së Preshevës.

Kush je ti, Blerim, dhe si guxon të fyesh popullatën e Luginës? Mos vallë je i porositur nga dikush? Nëse po, thuaje hapur.

Pse u bën thirrje për protesta dhe mosbindje, pa menduar për pasojat që mund të kenë? Çfarë u ka siguruar Kosova deri më tani vëllezërve tanë në Luginë që të ndihen të mbrojtur dhe të kenë sukses?

Në vend që të ngrihet zëri për zbrazjen e Luginës dhe pasivizimin e adresave, që në thelb është dëbim nga shtëpitë dhe trojet e tyre, bëhen fyerje ndaj tyre. Medvegja pothuajse është zbrazur tërësisht, ndërsa dëbimi i shqiptarëve po vazhdon në heshtje.

Atje mungojnë të drejtat minimale njerëzore. U mohohen arsimimi, punësimi, njohja e diplomave dhe literatura në gjuhën shqipe. Çfarë po bëjnë Kosova dhe Shqipëria për këtë gjendje të rëndë?

Edhe më e dhimbshme është që, në vend se t’i ndihmojmë, i ofendojmë. Blerim Isufaj duhet të shohë se çfarë bën Serbia për komunitetin e saj në Kosovë, sa investon dhe sa angazhohet për ta ruajtur atë.

Sa herë është trajtuar Lugina si çështje kombëtare? Sa herë është ndërkombëtarizuar gjendja e rëndë e shqiptarëve atje, të cilëve Serbia u ka mohuar të drejtat kombëtare dhe njerëzore?

Në Kosovë, serbët gëzojnë të drejta dhe privilegje të shumta të garantuara me ligj. Ndërkohë, shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim të vazhdueshëm.

Mos, Blerim, mos e nxirr helmin dhe qyqarllëkun tënd për të përçarë shqiptarët e Luginës me Kosovën dhe për t’i bërë ata të mendojnë se të gjithë kosovarët mendojnë si ti.

Uroj që të vetëdijesohemi si popull dhe, mbi të gjitha, të kemi qeveri atdhetare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që të bëjnë gjithçka të mundur për të mbrojtur bashkëkombësit tanë, sepse kjo është edhe detyrë kushtetuese e kombëtare.

Uroj dhe kërkoj që, në një të ardhme të afërt, Blerimi, bashkë me ne, të takohet në Bujanoc me vëllezërit tanë shqiptarë, në tokat e tyre të lira.

Refik Hasani, mos e kurseni askënd që ju nënçmon apo ju fyen. Ju jeni ajka kombëtare, ju jeni diga e parë që nuk u thye kurrë. Krenarë me ju!

Rroftë bashkimi kombëtar në një Shqipëri të ribashkuar!

29 qershor 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Amerikë, më fal! Sot për “mua” po proteston Igballja!

Tash kur janë bërë plot 27 vjet që kur forcat e KFOR-it zbarkuan në Kosovë, …