Protestat në Tiranë u nisën mirë. Kërkesat ishin të qarta dhe parullat kishin lezet. Të jepnin ndjesinë e një qytetarie të mirëfilltë, që shqetësohej me të drejtë për drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë.
Cili zhvillim i duhet Shqipërisë: ai që nuk respekton trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, apo ai që ecën në ekuilibër me to?
Kështu, ndoshta, mund të përmblidhej pyetja në thelbin e saj.
Protestuesit ishin para Qeverisë shqiptare për të shprehur shqetësimin dhe kërkesën që zhvillimi ekonomik të mos bëhet në dëm të trashëgimisë sonë kulturore dhe as të pasurisë sonë natyrore.
Parullat shprehnin një qytetari të pjekur, të hapur dhe moderne. Çdokush e ndjente spontanitetin dhe kreativitetin që fshihej pas simbolikave dhe shprehjeve të shumta. Padyshim që protestuesit ishin të paorganizuar, por gjithsesi të bashkuar rreth të njëjtës temë dhe të njëjtit shqetësim. Vajzat dhe gratë shqiptare i jepnin ngjyrë dhe dinamikë kësaj proteste më shumë se kushdo tjetër. Kësaj radhe, gjinia tjetër ishim ne, djemtë. Jo ato.
Ky fillim i mbarë bëri jehonë në mbarë botën demokratike dhe, me të drejtë, gjeti mbështetje edhe te qytetarët e huaj. Kjo sepse zhvillimi i hovshëm ka ngjallur kudo një shqetësim serioz për ruajtjen e natyrës. Është një kauzë që sot e njeh çdo qytetar serioz dhe që na bashkon anembanë globit.
Mirëpo, kjo protestë u grabit shpejt nga grupe të organizuara (para)politike, të cilat nuk kishin më shqetësimet qytetare të fillimit.
Ato kishin synimet e tyre për pushtet ose, edhe më keq, synonin zhbërjen e rendit kushtetues të Republikës.
Nga ai moment, parullat nuk kishin më lezet. Zërat e ëmbël u zhdukën. Racionaliteti u dënua me heshtje. Argumenti u zhduk. Ngjyrat u venitën. Vajzat dhe gratë e emancipuara nuk e kishin më në dorë dinamikën e protestës. Parullat me kreativitet nuk i bënte më askush.
Në vend të tyre dolën zërat kërcënues. Ofendimet, sharjet dhe teoritë konspirative zunë vendin e arsyes. Argumenti u zëvendësua me shantazhin dhe kanosjen. Ngjyrat ndryshuan. Kreativiteti ra. Kërkesat u ndërruan. Protesta ndryshoi edhe emër. Ajo nuk quhej më protestë, por “kryengritje” dhe “revolucion”. Meloditë e bukura u shndërruan në tambure lufte. Vajzat dhe gratë me fytyrë shqiptare u zëvendësuan nga ato me fytyrë iraniane. Jehona mjedisore nuk dëgjohej më askund në botë.
Gjithçka ndryshoi brenda pak ditësh dhe, në fund, dikush formuloi edhe kërkesat e reja. Ai dikush nuk i përfaqësonte qytetarët shqiptarë. Ishte zëdhënësi i regjimit iranian.
Dhe e gjithë kjo dukej sikur vërtet do ta fitonte mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Ndoshta edhe do ta rrëzonte Qeverinë dhe, bashkë me të, krejt sistemin demokratik.
Në fakt, jo.
Jo, sepse shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit.
Nuk janë kundër demokracisë.
Nuk janë kundër Amerikës.
Nuk janë kundër shoqërisë së hapur dhe moderne.
Nuk janë kundër Bashkimit Evropian dhe Perëndimit.
Nuk janë kundër Qeverisë dhe forcimit të pozitës së shtetit dhe kombit shqiptar.
Ata kishin dalë në protestë për më shumë zhvillim, jo për më pak.
Ata kishin dalë në protestë për më shumë demokraci, jo për më pak.
Ata kishin dalë për më shumë Evropë, jo për më pak.
Ata kishin dalë për më shumë qytetari dhe emancipim shoqëror, jo për më pak.
Ata kishin dalë për më shumë shtet, jo për më pak.
Prandaj, kur protesta e tyre u grabit dhe iu imponuan kauza që nuk ishin të tyret, përgjigjja e shumicës nuk ishte radikalizimi. Ishte braktisja. Ata nuk e panë më veten në atë protestë dhe, për pasojë, u larguan prej saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
