Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka cilësuar të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila është caktuar për 16 shtator. Gucati tha se procesi është zvarritur për një kohë të gjatë dhe se, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim prej gati gjashtë vitesh. Ai shtoi se pritja e gjatë ka rritur dyshimet e Organizatës së Veteranëve ndaj procesit gjyqësor. Gucati deklaroi se OVL-UÇK do të mblidhet gjatë ditëve në vijim për të vendosur hapat e ardhshëm, duke mos përjashtuar organizimin e protestave në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara. Ai përsëriti kritikat ndaj Gjykatës Speciale, duke pretenduar se ajo po vepron si instrument politik dhe jo si institucion i drejtësisë, ndërsa shprehu bindjen se ish-krerët e UÇK-së duhet të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen. Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Aktgjykimi në këtë rast pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
