Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj: Qeveria po neglizhon zbatimin e plotë të aktgjykimeve për veteranët e UÇK-së

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Supreme për njohjen e të drejtës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të përfituar dy pensione nuk përbën një praktikë të re gjyqësore, pasi kjo e drejtë është konfirmuar nga Supremja që në vitin 2021. Sipas tij, gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, IKD ka fituar qindra raste në favor të veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta, duke i përfaqësuar ata pa pagesë në procedurat gjyqësore. Megjithatë, Miftaraj ka akuzuar institucionet përgjegjëse se nuk po i zbatojnë plotësisht aktgjykimet. Ai theksoi se përfituesve u paguhen vetëm mjetet retroaktive të përcaktuara nga gjykata, ndërsa vazhdon t’u mohohet në praktikë e drejta për përfitimin e dy pensioneve në baza të rregullta. Sipas Miftarajt, kjo situatë tregon se, pavarësisht mijëra vendimeve gjyqësore në favor të veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta, departamentet e pensioneve, ministria përkatëse dhe Qeveria ende nuk po zbatojnë në tërësi vendimet e formës së prerë të gjykatave.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Supreme ua njeh veteranëve të UÇK-së të drejtën për dy pensione

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës …