Organizata Albanians For America ka përkujtuar 27-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tyre të dalin para drejtësisë. Në një reagim publik, organizata rikujtoi se tre vëllezërit shqiptaro-amerikanë, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por pas arrestimit dhe dënimit nga autoritetet serbe, u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë. Albanians For America theksoi se, edhe pas 27 vitesh, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar, ndërsa familja vazhdon të presë zbardhjen e plotë të krimit dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Organizata vlerësoi se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura të zyrtarëve serbë, autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes nuk janë përballur ende me drejtësinë. Në përfundim, Albanians For America theksoi se zbardhja e plotë e rastit Bytyqi mbetet jo vetëm një detyrim ndaj familjes së viktimave, por edhe një provë e gatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi për krimet e kryera nga strukturat e saj shtetërore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
