Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar projektvendimin për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë në përbërje të brigadës shumëkombëshe të NATO-s në Rumani. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se ky vendim përfaqëson një angazhim shtesë të qeverisë shqiptare në kuadër të misioneve të Aleancës dhe të sigurisë kolektive. Sipas tij, pjesëmarrja e trupave shqiptare në Rumani do të kontribuojë në forcimin e sigurisë në territorin rumun, duke vijuar angazhimin e Shqipërisë në operacionet dhe misionet ndërkombëtare të NATO-s. “Sot në Këshillin e Ministrave u miratua projektvendimi për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura te brigada shumëkombëshe që ndodhet në Rumani. Ky projektvendim është një angazhim shtesë i qeverisë shqiptare në misionet kombëtare. Jam i bindur që ky mision shtesë është në vazhdën e gjithë misioneve të tjera që ne kemi. Angazhimi i trupave tanë do të jetë i tillë që do të forcojë sigurinë në territorin e Rumanisë, gjithnjë në kuadër të sigurisë kolektive të Aleancës”, deklaroi ministri Nufi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
