Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se mbetet subjekti i vetëm politik që, sipas saj, ka ofruar një qëndrim të qartë për zhbllokimin e krijimit të institucioneve, pa vendosur kushte politike apo kërkuar pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, tha se qëndrimi i partisë ishte bërë publik nga kryetari Ardian Gjini që më 26 qershor, duke theksuar se AAK nuk synon poste qeveritare, por funksionalizimin e institucioneve. Ai kritikoi zvarritjen e projekteve strategjike infrastrukturore, duke përmendur se Aleanca kishte propozuar ndërtimin e termocentralit “Kosova C” dhe se ka kërkuar vazhdimisht avancimin e projekteve që, sipas tij, kanë mbetur të bllokuara. Xhemaili theksoi se këto prioritete janë pjesë e ofertës gjashtëpikëshe të Aleancës, e cila përfshin edhe rritjen e pragut të TVSH-së për të lehtësuar barrën mbi bizneset e vogla dhe të mesme. Sipas tij, shumë ndërmarrje familjare po përballen me vështirësi serioze financiare dhe kanë nevojë për masa konkrete mbështetëse, në vend të vonesave politike që, siç u shpreh ai, po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
