Në Kosovë janë 548 mijë e 701 persona në moshë pune që klasifikohen si ekonomikisht joaktivë. Ata nuk llogariten në normën zyrtare të papunësisë, pasi kjo përllogaritet vetëm mbi bazën e personave që janë të punësuar ose që kërkojnë aktivisht punë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në vitin 2017 kishte deklaruar se në Kosovë duhej të flitej më shumë për shkallën e punësimit sesa për papunësinë, pikërisht sepse studentët, amvisat dhe personat që nuk kërkojnë punë klasifikohen si ekonomikisht joaktivë. Gjatë mandatit qeverisës, ai ka përdorur vazhdimisht rënien e normës së papunësisë si një nga treguesit kryesorë të suksesit ekonomik. Analiza thekson se edhe vetë Strategjia e Punësimit 2024–2028 e Qeverisë vlerëson se shkalla e papunësisë nuk është treguesi më i mirë për të matur gjendjen e tregut të punës në Kosovë, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në fuqinë punëtore. Të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë se nga mbi 1.07 milion persona në moshë pune, vetëm 526 mijë ishin pjesë e fuqisë punëtore. Prej tyre, 468 mijë ishin të punësuar, ndërsa 57 mijë të papunë, duke prodhuar normën zyrtare të papunësisë prej 11 për qind. Gratë dhe të rinjtë vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në tregun e punës. Shkalla e joaktivitetit te gratë arrin në 68.8 për qind, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të rinjve nuk janë as të punësuar, as në arsim apo trajnim, çka dëshmon për sfidat strukturore që vazhdon të ketë ekonomia e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
