Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sërish me 10 vjet burgim ish-milicin serb, Shaqir Lutvija, për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare të kryera gjatë viteve 1998–1999 në komunën e Prizrenit. Vendimi u shpall të martën, pas rigjykimit të çështjes, të cilin e kishte urdhëruar Gjykata e Apelit në qershor të këtij viti, duke anuluar aktgjykimin e mëparshëm për shkaqe procedurale. Sipas aktgjykimit, Lutvija u shpall fajtor për pjesëmarrje në fushatën represive të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë, e cila përfshinte vrasje, arrestime arbitrare, rrahje, maltretime dhe trajtim çnjerëzor. Krimet, sipas gjykatës, janë kryer në cilësinë e tij si inspektor dhe pjesëtar i policisë në stacionin policor të Prizrenit, në bashkëkryerje me persona të tjerë. Lutvija ishte dënuar fillimisht me të njëjtën masë prej 10 vjetësh burgim në nëntor të vitit 2025. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte shfuqizuar atë aktgjykim dhe e kishte kthyer lëndën në rigjykim. Pas administrimit të serishëm të provave dhe shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore arriti në të njëjtin përfundim, duke e dënuar përsëri me 10 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
