Një përplasje e ashpër diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës ka shpërthyer në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi delegacioni amerikan braktisi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në shenjë proteste ndaj deklaratave të diplomatëve francezë. Tensionet nisën javën e kaluar, kur SHBA-ja votoi kundër zgjatjes së mandatit të Volker Turk si Komisioner i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke u rreshtuar në të njëjtën linjë votimi me Rusinë dhe Korenë e Veriut. Pas votimit, misioni francez në OKB reagoi ashpër në rrjetin social X, duke kritikuar Uashingtonin. “SHBA-të dikur ishin një pishtar i të drejtave të njeriut. Jo më”, thuhej në reagimin e diplomacisë franceze. Ambasadori amerikan Mike Waltz iu kundërpërgjigj Francës, duke akuzuar se ajo mbështeti një zyrtar të OKB-së që, sipas tij, kishte kritikuar vendet demokratike, ndërsa kishte treguar qasje më të butë ndaj regjimeve autoritare. Përplasja u thellua të hënën, kur delegacioni amerikan u largua nga mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit për luftën në Ukrainë, në momentin kur ambasadori francez, Jerome Bonnafont, po mbante fjalën e tij. Ambasadori amerikan Dan Negrea deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me protesta të ngjashme derisa Franca, sipas tij, të heqë dorë nga “retorika përçmuese dhe mosrespektuese” ndaj Uashingtonit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
