Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zbulimit të mbetjeve mortore dhe veshmbathjeve në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet plagë e hapur e Kosovës dhe një akuzë e rëndë ndaj Serbisë. Haradinaj ka kërkuar hetim të plotë dhe profesional për varrezën masive, duke insistuar se Beogradi duhet të detyrohet të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e të gjitha viktimave të luftës. “Personat e pagjetur janë plaga më e madhe e shoqërisë sonë. Zbardhja e fatit të tyre është detyrë kombëtare. Varreza masive në Kalludër kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për ta detyruar Serbinë të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka theksuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa u zbardhur fati i çdo personi të zhdukur, duke kërkuar që kjo çështje të jetë prioritet në çdo dialog me Serbinë. “Serbisë duhet t’i rikujtohen vazhdimisht krimet e kryera në Kosovë dhe të kërkohet me vendosmëri drejtësi për viktimat, si dhe përgjigje për familjet që prej më shumë se dy dekadash jetojnë në pritje”, ka shtuar ai. Kujtojmë se të martën, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, u gjetën mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica gjatë luftës. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa hetimet e institucioneve kompetente janë duke vazhduar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
