Pas zhvillimeve të fundit në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se janë gjetur mbetje mortore të 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica gjatë luftës, ka reaguar për herë të parë publikisht Erblin Ademi, djali i kirurgut të njohur Adem Ademi. Në një rrëfim prekës, ai ka bërë të ditur se për 27 vjet kishte zgjedhur të mos fliste për fatin e babait të tij dhe grupit të intelektualëve të zhdukur, por zhvillimet e fundit e kanë shtyrë ta thyejë heshtjen. Sipas tij, familja po përjeton ndjenja të përziera mes dhimbjes dhe shpresës, pasi pas gati tri dekadash po afrohet mundësia për zbardhjen e së vërtetës. “Është një dhimbje e madhe të përballesh sërish me realitetin se babai ynë dhe 22 persona të tjerë u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës. Megjithatë, ndiejmë edhe një lloj lehtësimi, sepse më në fund mund të mësojmë të vërtetën dhe t’u japim të dashurve tanë nderimin që meritojnë”, ka shkruar Ademi. Ai e kujton babanë e tij si një kirurg të respektuar, i cili ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve dhe gjatë luftës ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Erblin Ademi ka theksuar se familjet e viktimave kanë jetuar për 27 vjet me ankth, pa ditur se ku ndodheshin trupat e më të dashurve të tyre, duke e cilësuar këtë si një dhunë të vazhdueshme psikologjike. Ai kërkon që procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të zhvillohet me profesionalizëm dhe dinjitet, ndërsa ka insistuar se drejtësia duhet të vihet në vend për të gjithë ata që urdhëruan, kryen apo fshehën këtë krim. “Kjo ishte një masakër. Nuk mjafton vetëm të zbardhet e vërteta, por autorët dhe të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. Vetëm atëherë mund të ketë paqe të vërtetë”, ka theksuar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
