Blerta Deliu Kodra

PDK mbyll derën për koalicion me Kurtin: Do të jemi opozitë, përgjegjësia për institucionet i takon fituesit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të qartë se partia e saj nuk do të jetë pjesë e asnjë marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, duke konfirmuar se PDK do të mbetet në opozitë. Sipas saj, pas takimit ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është sqaruar përfundimisht pozicioni politik i partisë. “Pas takimit të Bedri Hamzës me Albin Kurtin është qartësuar gjithçka. Do të jemi në opozitë dhe nuk bëhemi pjesë e asnjë matematike politike për zhvillimet e fundit”, deklaroi Deliu-Kodra. Ajo theksoi se PDK ka qenë konsistente në qëndrimet e saj gjatë gjithë procesit paszgjedhor, duke nënvizuar se orientimi politik i partisë është përcaktuar qartë dhe nuk ka ndryshuar. Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu mungesën e iniciativës nga partia fituese për formimin e institucioneve të reja, duke thënë se që nga përfundimi i zgjedhjeve nuk është parë vullnet politik për zgjidhjen e ngërçit institucional. Deliu-Kodra rikujtoi se e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon partisë fituese, ndërsa seanca e ardhshme, sipas saj, do të jetë procedurale. Në përfundim, deputetja ritheksoi se PDK do ta ushtrojë rolin e saj si forcë opozitare në Kuvend, duke përjashtuar mundësinë e përfshirjes në një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Haga heq kufizimet për disa vizitorë të Hashim Thaçit, ndalesa vazhdon për katër të tjerë

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë më 21 shtator vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me …