Vetëm një ditë para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia është përfshirë nga një valë tensionesh pas publikimit të audioincizimeve që pretendojnë se dëshmojnë ushtrim presioni dhe premtime për favore ndaj delegatëve në funksion të procesit të brendshëm partiak. Kuvendi, i thirrur me kërkesën e mbi 150 delegatëve që kërkojnë shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pritet të vendosë të enjten për fatin e udhëheqjes së partisë. Debati u intensifikua pasi u publikuan audioincizime, ku dëgjohet një zyrtar i Komunës së Prishtinës duke i premtuar punësimin e bashkëshortes së një delegati, në këmbim të nënshkrimit për shkarkimin e Abdixhikut. Pas publikimit të tyre, LDK reagoi duke e cilësuar rastin si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Statutin e partisë dhe ligjin, ndërsa kërkoi hetim nga Prokuroria dhe paralajmëroi procedura disiplinore ndaj çdo anëtari që rezulton i përfshirë. “Askush, e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh. LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes dhe integritetin e proceseve demokratike”, thuhet në reagimin zyrtar të partisë. Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së përbëhet nga 354 delegatë, të cilët do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.
Publikimi i audioincizimeve ka thelluar krizën e brendshme në LDK dhe ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit zgjedhor brenda partisë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te vendimi që do të merret në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
