Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se pret që aktgjykimi i 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara në Hagë të dëshmojë, sipas tij, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së. Në një intervistë ekskluzive për RTK-në nga paraburgimi në Hagë, Krasniqi tha se ka besim të plotë se drejtësia do të triumfojë kur të shqyrtohen të gjitha faktet dhe provat, duke theksuar se gjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me gjykatën dhe se besimin e ka te dokumentet dhe e vërteta historike. Ai ritheksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë çlirimtare dhe jo kriminale, duke shtuar se historia nuk duhet dhe nuk mund ta ri definojë UÇK-në si organizatë kriminale apo terroriste. Sipas tij, UÇK-ja ishte rezultat i përpjekjes së popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe mbrojtje nga politika gjenocidale e Serbisë. Duke folur për Kosovën, Krasniqi u bëri thirrje udhëheqësve politikë të ruajnë unitetin dhe partneritetet strategjike ndërkombëtare, ndërsa të rinjve u dërgoi mesazhin që ta duan dhe ta mbrojnë Kosovën, duke kujtuar se liria është fituar me sakrifica të mëdha. Në intervistë, ai foli edhe për jetën në paraburgim, ndarjen nga familja dhe besimin se e vërteta historike për luftën e Kosovës do të mbetet e pacenuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
