Marjana Koçeku kundër konsullatës serbe në Shkodër: Nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë, ndërsa në Kosovë zbulohen varre masive

Deputetja e larguar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke paralajmëruar se qytetarët do të protestojnë kundër kësaj nisme. Përmes një reagimi publik, Koçeku e lidhi këtë çështje me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke përmendur gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës. Sipas saj, dyshohet për një varrezë masive me 23 intelektualë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, ndërsa deri më tani janë gjetur trupat e gjashtë prej tyre. Ajo përmendi edhe aksionet e fundit të autoriteteve në veri të Kosovës, ku, sipas saj, është zbuluar armatim dhe është arrestuar një person me të kaluar në Armatën Jugosllave. “Në kohën kur në Kosovë vazhdojnë të zbulohen varre masive dhe po zhvillohen aksione kundër strukturave të lidhura me të kaluarën serbe, shteti shqiptar po flet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate?”, është shprehur Koçeku. Deputetja kritikoi institucionet shqiptare për mungesë transparence lidhur me këtë çështje, duke thënë se deri më tani janë dhënë vetëm “sqarime të turbullta”, ndërsa argumentet për diplomaci, marrëdhënie bilaterale dhe përfitime ekonomike, sipas saj, nuk mund të anashkalojnë plagët e hapura të luftës në Kosovë. Sipas saj, është e papranueshme që të flitet për fqinjësi të mirë me Serbinë në një kohë kur, edhe pas më shumë se 25 vjetësh nga përfundimi i luftës, në Kosovë vazhdojnë të zbulohen varreza masive me viktima të krimeve të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së kundërshton çdo iniciativë për procese të reja në Hagë ndaj UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj çdo përpjekjeje për hapjen …