Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka kërkuar që KFOR-i të heqë praninë e tij statike nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës tashmë kanë kapacitetet e nevojshme për ta garantuar sigurinë në atë zonë. Përmes një reagimi publik, Ramadani theksoi se prania e përhershme e misionit të NATO-s në urë nuk përputhet me forcimin e sovranitetit të Kosovës. Sipas tij, përgjegjësia për ruajtjen e rendit dhe lirisë së lëvizjes duhet t’u kalojë plotësisht institucioneve vendore të sigurisë, veçanërisht Policisë së Kosovës. Ai argumentoi se reduktimi i rolit operacional të KFOR-it në këtë pikë do të ishte një hap i natyrshëm drejt konsolidimit të autoritetit shtetëror, duke shtuar se misioni i NATO-s duhet të ruajë funksionin e tij strategjik dhe jo të mbajë prani statike në urë. Ura mbi lumin Ibër vazhdon të mbetet një nga pikat më të ndjeshme në veri të Kosovës. KFOR-i ka përsëritur edhe më herët se mban prani të përhershme në këtë zonë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, ndërsa çdo ndryshim i rolit të tij lidhet me vlerësimet e sigurisë dhe mandatin që misioni ka në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
