Pas përfundimit të korrje-shirjeve, zjarret e qëllimshme në arat bujqësore po vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha në tokë, mjedis dhe sigurinë publike. Ekspertët dhe autoritetet paralajmërojnë se kjo praktikë, përveçse është e ndaluar me ligj, po dëmton rëndë pjellorinë e tokës dhe po rrit ndotjen e ajrit. Shumica e këtyre zjarreve shkaktohen nga faktori njeri, duke theksuar se është e pamundur që hamulloret të marrin flakë vetvetiu në temperatura të larta. Sipas ekspertëve, djegia e kashtës shkatërron deri në 90 për qind të mikroflorës aktive në shtresën sipërfaqësore të tokës. Nxehtësia depërton në thellësi, eliminon lëndët organike dhe rrit varësinë e bujqve nga plehrat artificiale. Njëkohësisht, tymi i dendur çliron sasi të mëdha të monoksidit të karbonit, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë në rrugët nacionale. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në sipërfaqe bujqësore, pasi kjo praktikë përbën vepër penale dhe shkakton pasoja afatgjata për bujqësinë, mjedisin dhe sigurinë publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
