Hashim Thaçi mbetet në paraburgim, Gjykata Speciale cakton datën e aktgjykimit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin që po zhvillohet në Hagë ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka refuzuar kërkesën për lirimin e Thaçit dhe ka vendosur vazhdimin e paraburgimit. Ky është vendimi i 27-të për vazhdimin e kësaj mase ndaj tij. Në vendimin e 10 gushtit, gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë në rast lirimi. Megjithatë, sipas Trupit Gjykues, vazhdon të ekzistojë rreziku që ai të mund të pengojë procedurat ose të ndikojë te dëshmitarët. Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026. Për këtë arsye, kryegjyqtari Charles Smith ka vendosur që të mos paraqiten më parashtresa lidhur me rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Thaçit, i cili ishte planifikuar për 9 tetor. Gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet në Hagë që nga viti 2023. Prokuroria i akuzon ata për një sërë veprash penale që pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ndërsa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ambasada angleze në Tiranë ka reaguar për protestën e militantëve të Sali Berishës dhe Ilir Metes para Bashkisë në Tiranë

Shumica e të lënduarve gjatë protestave në Tiranë janë pjesëtar të policisë

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Ervin Demo ka bërë të ditur se gjatë protestavw në …