Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kundërshtuar paralajmërimin për tërheqjen e personelit të KFOR-it nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Duke folur për RTS, Vuçiq ka deklaruar se për këtë çështje do të bisedojë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq. Ai ka pretenduar se KFOR-i kishte planifikuar hapjen e urës për qarkullim dhe se Beogradi kishte reaguar kundër një veprimi të tillë. “Ai (Mojsilloviq) sot, supozoj, ka biseduar me komandantin e KFOR-it për gjëra të tjera, sepse ata donin ta lëshonin në qarkullim urën mbi Ibër në Mitrovicë”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton KosovaPress. Presidenti serb ka përsëritur edhe pretendimet e Beogradit për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për maltretime, arrestime dhe dhunë. Vuçiq ka thënë se Serbia duhet të jetë “e durueshme, mjaft e mençur dhe përgjegjëse”, ndërsa ka theksuar nevojën për mbështetjen e serbëve në Kosovë. Ai është ndalur edhe te deklaratat e tij të mëhershme për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke e cilësuar këtë si çështje të brendshme të Serbisë. Vuçiq ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një grupi punues për shqyrtimin e çështjeve që, sipas tij, lidhen me zonën e Ribariqit dhe pjesë të tjera të rrjedhës së Ibrit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
