BDI: IZET MEXHITI PO E SHKATËRRON SPORTIN NË ÇAIR: DJE FC SHKUPI, SOT KB ÇAIR

BDI: IZET MEXHITI PO E SHKATËRRON SPORTIN NË ÇAIR: DJE FC SHKUPI, SOT KB ÇAIR

Prej kur Izet Mexhiti mori drejtimin e Komunës së Çairit, njëri pas tjetrit po rrëzohen klubet që për vite kanë qenë krenaria sportive e Çairit.
Rasti i parë dhe më dramatik është FC Shkupi.
Një klub që para vetëm disa viteve ishte kampion i Maqedonisë së Veriut, luante në garat evropiane dhe përfaqësonte krenarinë e Çairit, sezonin e kaluar përfundoi në fund të tabelës dhe ra nga Liga e Parë.
Nga kampion, në rënie nga liga.
Tani e njëjta po ndodh edhe me basketbollin.
Federata e Basketbollit ka njoftuar se KB Çair nuk i ka përmbushur obligimet financiare për licencim dhe nuk do të jetë pjesë e Superligës në sezonin 2026/2027.
Sipas raportimeve, KB Çair kishte borxhin më të vogël nga tre klubet që fillimisht nuk morën licencë. Dy klubet e tjera i paguan obligimet dhe e siguruan licencën.
Çairi jo.
Dhe pikërisht këtu Izet Mexhiti duhet t’u japë përgjigje qytetarëve.
Vetëm gjatë vitit 2026, nga Komuna e Çairit për këtë klub janë ndarë 3.600.000 denarë para publike. Përveç këtyre mjeteve, klubi ka pasur edhe burime të tjera të financimit publik.
Personi i lidhur me menaxhimin e klubit është njëkohësisht i punësuar në administratën e Izet Mexhitit dhe ka pasur përgjegjësi pikërisht në fushën e financave.
Miliona denarë janë ndarë për klubin. Njeriu i lidhur me klubin është brenda sistemit të financave të Komunës. Në fund, klubi nuk arrin të paguajë obligimet që i nevojiten për ta ruajtur licencën.
Prandaj kërkojmë përgjigje:
Sa para gjithsej ka marrë KB Çair nga Komuna dhe institucionet e tjera? Ku kanë përfunduar 3.6 milionë denarët e ndarë vetëm këtë vit? Për çfarë janë shpenzuar? Sa ishte borxhi ndaj Federatës që nuk u pagua? Dhe si kishte miliona denarë për t’ia ndarë klubit, ndërsa nuk kishte para për t’ia shpëtuar licencën?
Izet Mexhiti duhet të tregojë edhe kush e ka kontrolluar përdorimin e këtyre mjeteve publike, kur personi i lidhur me klubin është njëkohësisht pjesë e administratës që merret me financat.
Sot nuk kemi më një rast të izoluar.
FC Shkupi — nga kampion, jashtë Ligës së Parë.
KB Çair — nga Superliga, pa licencë.
Dy nga klubet kryesore të Çairit janë rrëzuar para syve tanë.
Ky është bilanci sportiv i Izet Mexhitit në Çair.
Çairit nuk i mungojnë sportistët. Nuk i mungon talenti. Nuk i mungon tradita. I mungon menaxhimi dhe përgjegjësia.
Izet Mexhiti duhet të tregojë çfarë po ndodh me sportin në Çair dhe ku kanë përfunduar paratë publike të destinuara për të.
Sa klube duhet të bien që dikush më në fund të mbajë përgjegjësi?
Dje FC Shkupi.
Sot KB Çair.
Kush është nesër?

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: APEL PËR KOSOVËN A JENI GJALLË, O SHQIPTARË?!

A JENI GJALLË, O SHQIPTARË?! A jeni gjallë, o njerëz që keni vuajtur për këtë …