“Me qëndrimin tonë ndaj popullit vëlla të Kosovës demaskuam parrullat e nazistëve e të bashkëpunëtorëve të tyre”
- Përgjigje e gjenerallejtënant Rrahman Parllakut – Heroi Popullit dhe Nderi i Kombit, një nga drejtuesit e formacioneve kryesore partizane në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, për disa përpjekje për të shtrembëruar historinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të vërtetën e kësaj lufte
Dua të sqaroj lexuesit për disa të pavërteta që shkruhen për veprimet luftarake të brigadave të ushtrisë nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë dhe që fatkeqësisht mund të futen në histori.
Unë, duke qenë drejtues i luftimeve në Kosovë si Zv/ Komisar i Brigadës së III-të dhe Komandant i Divizionit të V-të që kam drejtuar luftimet në Sanxhak e Bosnje, duke patur në vartësi Brigadën e III-të, të V-të dhe të XXV-së, kam shkruar në librin “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime” për luftimet e brigadave tona në tetor e nëntor të vitit 1944 për çlirimin e Kosovës.
Shkrimet e mia janë mbështetur në kujtime të jetuara dhe, ndonëse në moshën e pleqërisë së thellë, fatmirësisht kujtesën e kam akoma të kthjellët por, veç kësaj, u jam drejtuar edhe dokumentave të kohës duke u përpjekur të jem sa më objektiv në pasqyrimin e ngjarjeve e rrethanave në të cilat janë zhvilluar luftimet, forcat pjesëmarrëse në to nga të dy palët dhe qëndrimi i mbajtur ndaj popullit.
Për veprimet luftarake të forcave tona në Kosovë janë shkruar e thënë shumë të pavërteta, si për luftimet e brigadave të III-të e të V-të, për çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit, Prizrenit, Gjakovës e Pejës me rrethinat e tyre, ashtu edhe për veprimet e divizioneve të V-të e të VI-të pas kthimit në Kosovë në mes të marsit 1945, me përfundimin e luftimeve në Sanxhak, Mal të Zi dhe Bosnje.
Po e nis me veprimet luftarake të dy brigadave tona në Kosovë, pasi dua t’u përgjigjem akuzave se brigadat tona paskan bërë krime duke vrarë njerëz jashtë luftimeve.
Deklaroj me përgjegjesi të plotë se ato akuza janë shpifje e të pavërteta.
Brigadat tona kanë vrarë njerëz vetëm në rastet kur janë përballur me kundërshtarët në luftime, siç kanë qenë luftimet me forcat e Divizionit SS, “Skënderbeg” dhe me ato të regjimentit “Kosova”, të cilat luftuan kundër nesh së bashku me nazistët gjermanë, ashtu siç kishin luftuar kundër partizanëve
jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri nga Shkodra deri në Tepelenë gjithnjë në krah të gjermanëve. Gjithashtu, forcat e këtyre reparteve kanë marrë pjesë në masakrat e 4 shkurtit në Tiranë.
Forcat e Divizionit “Skënderbej” dhe të Regjimentit “Kosova” kishin marrë detyrë nga nazistët gjermanë të siguronin rrugët e tërheqjes nga Greqia e Maqedonia të forcave naziste të Gruparmatës “ERE”, që kërkonin të shkonin të organizuara në frontin e perëndimit për të luftuar kundër forcave aleate, kurse ne, siç e kam shkruar, kishim një nga detyrat e marra nga Shtabi ynë i Përgjithshëm, t’I godisnim këto forca për t’i dëmtuar, penguar e vonuar duke iu ndërprerë rrugët e tërheqjes dhe t’u shkatërronim armatimin e teknikën e rëndë luftarake që nuk mund ta lëviznin jashtë rrugëve.
Kjo, siç na u tha kur morëm detyrën, ishte edhe kërkesë e përfaqësuesve aleatë pranë komandës sonë.
Gjatë luftimeve në Junik, Brigadës sonë të III-të dhe Brigadës së I-rë kosovare na u vranë 32 partizanë dhe na u plagosën mbi 40 të tjerë.
Gjatë këtyre luftimeve, forcat e Brigadës së III-të kapën 27 robër nga efektivi i Divizionit SS “Skënderbej” dhe nuk pushkatuan asnjë. Por më duhet të pohoj se prej asaj dite, asnjë pushkë kosovari nuk shtiu më kundër nesh dhe ky divizion u shpërbë.
Me qëndrimin tonë ndaj popullit vëlla të Kosovës demaskuam parrullat e nazistëve e të bashkëpunëtorëve të tyre, Xhafer Devës me shokë, të përhapura prej tyre në popull, se partizanët vrasin këdo që kapin. Kjo propagandë bëri që junikasit, gjatë luftimeve, të largoheshin të gjithë dhe ta linin fshatin të shkretë nga frika se mos ne do t’i pushkatonim por, pa marrë parasysh humbjet e mëdha në njerëz në luftimet e Junikut, ne i pritëm ata miqësisht kur u kthyen në fshat. Nuk prekëm asgjë nga pasuria e tyre dhe shtëpitë i gjetën siç i kishin lënë.
Ky fakt historik u vërtetua pas 60 vjetësh, kur isha i ftuar në Prishtinë për të mbajtur një ligjëratë me rastin e festimeve të 9 Majit 2005, ditës të fitores mbi nazifashizmin në Luftën e II-të Botërore dhe kur në fjalën time përmenda të vërtetën e lirimit të robërve në Junik dhe bëra pyetje në drejtim të sallës nëse jetonte vallë dikush nga të liruarit e asaj kohe?
Nga salla e mbushur plot me njerëz të shquar, profesorë akademikë, etj., mes të cilëve ishte dhe zoti Mahmut Bakalli (atëherë i gjallë), një zotëri u ngrit në këmbë nga fundi i sallës dhe dëshmoi:
“Jam unë”.
Të gjithë kthyen kokën në atë drejtim, ndërsa unë e falenderova këtë dëshmitar të gjallë për atë që dëshmoi.
Faktin që flitet e shkruhet në Kosovë e Shqipëri se forcat e divizioneve tona kanë ndihmuar serbët në luftimet e Drenicës kundër forcave të Shaban Polluzhës, e dëgjova për herë të parë në Tiranë më 1993, në një konferencë me temë: “Lufta e divizioneve tona në Jugosllavi”.
Konferenca organizohej nga Prof. Paskal Milo, që në atë kohë ishte në kryesinë e Partisë Social Demokrate.
Si referues në këtë konferencë merrte pjesë dhe profesor Kristo Frashëri, kurse unë isha i ftuar bashkë me shumë ish-kuadro drejtuese e partizanë që kishim luftuar në radhët e divizioneve të V-të e të VI-të në tokat e ish-Federatës Jugosllave.
Në ligjëratën e tij, Prof. Kristo Frashëri në mes të tjerave tha se forcat e divizioneve tona ndihmuan serbët në luftimet e Drenicës.
Pjesëmarrësit në konferencë, efektivë të këtyre divizioneve, drejtuan shikimin nga unë, që kisha komanduar në këto luftime Divizionin e V-të.
Kërkova fjalën dhe e nisa me pyetjen drejtuar referuesit:
-Profesor, kjo gota që e kam përpara a mund të ndodhet në këtë moment edhe në tavolinën tuaj?
Ai bëri të çuditurin e më tha: “Ç’është kjo pyetje?”
Po ju pyes, pasi ligjet e fizikës nuk pranojnë që një trup të ndodhet në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme.
Kur zhvilloheshin ngjarjet në Drenicë, forcat e divizioneve tona luftonin në Vishegrad e në Bosnje e nuk mund të ndodheshin edhe në Drenicë duke ndihmuar serbët.
Miku im, Profesori i nderuar Kristo Frashëri, pranoi se ishte një lapsus nga ana e tij për mungesë informacioni.
U zgjata në këtë sqarim, pasi për forcat e divizioneve tona edhe në Kosovë janë shkruar absurditete të tilla.
Për mendimin tim, ata që shkruajnë nuk u referohen dokumentave dhe fakteve të kohës, nuk dinë kur kanë ndodhur ngjarjet, si janë zhvilluar ato dhe cilat kanë qenë palët pjesëmarrëse në to. Nuk mund të shkruhet, “kështu kam dëgjuar”, “kështu më kanë thënë” e “kështu më kujtohet”.
Më e keqja është kur flitet e shkruhet e pavërteta me qëllim përfi timi politik. Dihet se ajo që ka ndodhur, nuk mund të ndryshohet duke falsifikuar historinë. Historia duhet të shkruajë të vërtetën, se e vërteta i ndriçon e i bashkon njerëzit.
Ne sot duam bashkim dhe jo ndarje. Mjaft na kanë mbajtur të ndarë për mëse një shekull pushtuesit e huaj e regjimet diktatoriale. Këtë duhet të këtë parasysh sipas meje kushdo që ulet të shkruajë.
Detyrë tjetër parësore, me kalimin e brigadave në Kosovë, kishim të ndihmonim kosovarët të merrnin pjesë në luftë në mënyrë masive, që Kosova nga pjesëtare e boshtit fashist, të bëhej pjesëtare e aleancës antifashiste që udhëhiqej nga Anglia, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi deri atëherë Kosova ndihmonte nazifashistët me forcat ushtarake të Divizionit SS “Skënderbej” dhe Regjimentit “Kosova”, që kishin luftuar kundër forcave partizane në Kosovë dhe në Shqipëri. Qeveria Deva-Mitrovica ishte në shërbim të gjermanëve.
Një gjendje e tillë u interesonte serbëve kur ishin në prag të fitores dhe donin që për këtë shkak t’i akuzonin kosovarët si bashkëpunëtorë të gjermanëve, me qëllim që të kishin dorë të lirë nga aleatët për të zbatuar planin e akademikut Sava Çubrolloviç, dorëzuar Titos, për të bërë spastrimin etnik të Kosovës.
Plani i Çubrilloviçit mbeti në sirtaret e Titos. Ai u dogj nga pjesëmarrja në luftë e 50.000 kosovarëve që luftonin në armatat e ish-Federatës Jugosllave, që e shkëputën Kosovën nga blloku fashist dhe e bashkuan atë me aleancën antifashiste të popujve.
Nuk mund të përziheshin familjet shqiptare nga trojet e tyre, kur 50.000 kosovarë ishin duke luftuar kundër nazistëve.
Vetëm në divizionin që komandoja unë, erdhën vullnetarisht mbi 1600 kosovarë, prej tyre vetëm në dy brigade të III-ën e të V-ën kanë rënë dëshmorë 102 luftëtarë kosovarë, duke luftuar në Sanxhak e Bosnje.
Në historikët e këtyre brigadave figurojnë emrat e tyre, dhe për shumicën, edhe emri i fshatit nga janë. Po sa dëshmorë kanë rënë nga 50.000 luftëtarët kosovarë që luftuan në të gjithë hapësirat e ish-Jugosllavisë? Sigurisht që numri i të rënëve është i shumtë.
Megjithë sakrificat që bënë kosovarët në luftën antifashiste, nuk e fituan pavarësinë e lirinë e tyre, por arritën një fitore të madhe, qëndruan në trojet e tyre etnike, duke përballuar edhe për afër 50 vjet provokacionet e terrorin e shovinistëve serbë.
Ata nuk e lanë të shkretë vendin dhe Kosova nuk u bë tokë e serbëve, siç ndodhi për fat të keq me Çamërinë. Në divizionin që komandoja unë, shumica e atyre që erdhën vullnetarë, kishin qenë në shërbim të gjermanëve e kishin luftuar edhe kundër nesh, por që prej ditës që u rreshtuan në repartet tona, u trajtuan pa asnjë dallim dhe si të barabartë me luftëtarët e vjetër. Ky trajtim njerëzor i bëri ata të luftonin trimërisht krah për krah me vëllezërit e tyre.
(Marrë nga libri “Rrahman Parllaku – një legjendë në kufirin e dy kohëve” i bashkëautorëve Halil Rama &Sakip Cami, faqe 259-264)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
