Sahit Muja: Kosova duhet ta shohë energjinë si bazë për zhvillim dhe investime amerikane

Biznesmeni shqiptaro-amerikan Sahit Muja ka folur për mundësitë që Shqipëria dhe Kosova kanë në fushën e energjisë, duke e vlerësuar gazin amerikan LNG si një mundësi strategjike për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Në një intervistë për Journal Magazine, Muja tha se Kosova duhet të ndërtojë një qasje afatgjatë ndaj energjisë, duke kombinuar gazin me burimet e rinovueshme, magazinimin e energjisë dhe infrastrukturën moderne. Sipas tij, energjia e qëndrueshme është parakusht për tërheqjen e investimeve, zhvillimin e industrisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Energjia nuk është thjesht një çështje teknike. Është çështje e zhvillimit kombëtar”, tha Muja.  Muja vlerësoi se Shqipëria mund të shërbejë si pikë hyrëse për energjinë amerikane në rajon, ndërsa Kosova mund të përfitojë nga një sistem më i integruar energjetik me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi veçanërisht nevojën për investime në infrastrukturën energjetike të Kosovës, duke përmendur problemet me furnizimin dhe ndotjen e ajrit. Në intervistë, Muja bëri thirrje që Prishtina të angazhohet më shumë në Washington për të tërhequr kapital dhe kompani amerikane. “Mos e shikoni Amerikën si një vend nga i cili duhet të kërkoni gjithmonë diçka. Shikojeni si partnerin me të cilin mund të ndërtoni diçka”, u shpreh ai.  Ai argumentoi se një bashkëpunim më i madh energjetik me SHBA-në mund të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e industrisë, teknologjisë, qendrave të të dhënave dhe sektorëve të rinj ekonomikë. Muja e përmbylli mesazhin e tij me idenë se Kosova duhet të ndërtojë një strategji afatgjatë energjetike, duke e parë energjinë jo vetëm si nevojë të përditshme, por si bazë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

I dyshuari për spiunazh kishte takime në Kryeministri dhe Presidencë

Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, kishte pasur qasje në institucione të larta …