Bashkimi Evropian ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pas vendimit të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, për të nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij të përhershme ushtarake në këtë lokacion. Në një përgjigje zyrtare për mediat, zëdhënësi i BE-së bëri të ditur se Brukseli është informuar rregullisht nga NATO-ja lidhur me këtë lëvizje strategjike, duke rikujtuar se qëndrimi i bllokut evropian ka qenë gjithmonë i qartë për hapjen e urës pas përfundimit të vlerësimeve teknike dhe konsultimeve me partnerët e sigurisë. Ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, e cila tashmë është vendosur në urë, misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX dhe trupave të KFOR-it, si pjesë e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë në vend. Nga ana e tij, KFOR-i sqaroi se optimizimi i dislokimit ushtarak në urën e Mitrovicës po bëhet mbi bazën e përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe në koordinim të plotë me institucionet vendore, organizatat ndërkombëtare, si dhe duke mbajtur të informuara Forcat e Armatosura të Serbisë. Paralelisht me këto zhvillime në veri, misioni i NATO-s njoftoi gjithashtu fillimin e integrimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
