Vuçiq i kërkon Rutte-s të ndalojë hapjen e urës mbi Ibër: “Do t’i shkruaj sot”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj planit për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet me letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Vuçiq ka thënë se do t’i kërkojë Rutte-s që të ndërhyjë për të parandaluar hapjen e urës. “Sot do t’i shkruaj Mark Rutte-s dhe shpresoj që të më përgjigjet dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet”, ka deklaruar Vuçiq në Beograd. Ai ka përmendur edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Özkan Ulutaş, duke pretenduar se ky i fundit është duke u marrë me çështjen e urës. “Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it”, ka deklaruar presidenti serb. Vuçiq ka pretenduar gjithashtu se vendet perëndimore po tentojnë t’ia imponojnë Serbisë pranimin e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë të tensionuar me komandantin e KFOR-it lidhur me këtë çështje. Presidenti serb e ka cilësuar situatën si “turp të madh dhe zhgënjim”, duke pretenduar se zhvillimet e fundit dëshmojnë për nervozizëm te faktorët ndërkombëtarë. Ai ka thënë se Serbia do të shqyrtojë mënyrat për ta ndihmuar, siç u shpreh, “popullin e vet”, duke shtuar se “gjërat po ndryshojnë në botë”. Deklaratat e Vuçiqit vijnë një ditë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi se janë plotësuar kushtet për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Kontrolloni gjithashtu

Xhafer Gashi ka bërë me dije se do të kandidojë edhe për nja mandat për kryetar të Komunës së Kastriotit

“Atdheu përpara vetes” – Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK

Bashkëluftëtari i Heroit Agim Ramadani, ish-kryetari i Kastriotit dhe kryetari i Degës së LDK-së në …