Aleanca ka reaguar ashpër pas vdekjes së katër punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës gjatë këtij viti, duke e cilësuar situatën si dëshmi të dështimit institucional për garantimin e sigurisë në vendin e punës. Aleanca ka përmendur katër punëtorët që kanë humbur jetën, Migjen Sadiku, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, ndërsa ka theksuar se dy nga rastet më të fundit kanë ndodhur brenda vetëm tri ditësh. Sipas Aleancës, këto raste nuk mund të trajtohen thjesht përmes komunikatave pas tragjedive, por kërkojnë përgjegjësi konkrete nga institucionet, menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut. “Këta që shtiren çdo ditë se po marrin masa për mbrojtjen e punëtorëve, në realitet e kanë sjellë ndërmarrjen më të madhe publike në një terren të rrezikshëm ku vdesin njerëzit”, ka deklaruar Aleanca. Partia ka kritikuar edhe Ministrinë e Ekonomisë dhe menaxhmentin e KEK-ut, duke i akuzuar se reagojnë vetëm pasi ndodhin tragjeditë, ndërsa punëtorët, sipas saj, përballen me presion dhe frikë për të raportuar rreziqet në vendin e punës. Aleanca ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për secilin rast, si dhe përgjegjësi ligjore e penale për zyrtarët që mund të kenë lejuar shkeljen e standardeve të sigurisë. “Menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut duhet të japin llogari urgjente para drejtësisë dhe dorëheqje të menjëhershme për humbjen e këtyre jetëve”, thuhet në reagim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
