Ish presidenti Hashim Thaçi rrëfen Rambujenë: “Nuk isha i sigurt nëse po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim”

Duke folur për Rambujenë, ish presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në fillim të konferencës, kërkesat për referendum për të ardhmen e Kosovës dhe transformimin e UÇK-së ishin të papranueshme për faktorët ndërkombëtarë. Megjithatë, sipas tij, vetëm pak orë para përfundimit të konferencës, delegacioni kosovar arriti të siguronte zotimin amerikan se pas tri vitesh populli i Kosovës do të kishte mundësinë të shprehte vullnetin për të ardhmen e vendit. “Deri pak orë para përfundimit të pjesës së konferencës në Rambuje, ishte iluzion se diçka e tillë mund të realizohej”, ka thënë Thaçi. Ai ka vlerësuar se kombinimi i referendumit, dislokimit të NATO-s dhe transformimit të UÇK-së krijoi bazën për zhvillimet që pasuan. Sipas tij, referendumi i hapte rrugë vendimmarrjes së popullit të Kosovës, prania e NATO-s siguronte mbrojtjen ndërkombëtare, ndërsa transformimi i UÇK-së krijonte mundësinë për themelimin e ushtrisë së Kosovës.  “Vendimi për pranimin e marrëveshjes në Rambuje ishte prej më të rëndëve, por edhe më krenari në jetën time. Pothuajse i pamundshëm, por i domosdoshëm. Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim, apo të dyja së bashku”, ka deklaruar ai. Ai ka pranuar se marrëveshja nuk i plotësonte në atë moment të gjitha kërkesat e Kosovës, por ka thënë se delegacioni kosovar duhej ta shfrytëzonte mundësinë e krijuar. Ai ka treguar se gjatë udhëtimit kishte me vete edhe emblemën e UÇK-së. “E futa në xhepin e këmishës, ngjitur me zemrën”, ka thënë Thaçi.  “PO-ja shqiptare në Rambuje tregoi përgjegjësi kombëtare dhe emancipim perëndimor. Perëndimi mbajti fjalën. Filluan bombardimet e NATO-s, UÇK-ja vazhdoi rezistencën. NATO-ja hyri. Serbia u dëbua. Kosova u çlirua. Refugjatët u kthyen. Në Kosovë filloi jeta e re”, ka deklaruar ai. Thaçi e ka përshkruar procesin e Rambujesë si një “fitore të dinjitetshme”, ndërsa intervista vjen në një moment të ndjeshëm për të, pak para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor në Hagë.

Kontrolloni gjithashtu

Sindikata e KEK-ut: Katër punëtorë humbën jetën, siguria nuk fillon pas tragjedisë

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së punëtorit Arbenit Ahmeti, duke ngritur …