Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë, në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë. Në intervistën me shkrim për emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, Thaçi ka folur për situatën politike në Kosovë dhe nevojën që partitë politike të tejkalojnë përplasjet dhe të arrijnë një konsensus për çështjet strategjike të vendit. Aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Intervista është realizuar me shkrim. Pyetjet lidhur me situatën politike në Kosovë i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik. Në këtë situatë, Thaçi ka propozuar një tryezë të përbashkët të pozitës dhe opozitës, duke kërkuar pajtim rreth disa objektivave strategjike. “Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta”, ka thënë Thaçi. Ndër prioritetet që ai ka renditur janë siguria nacionale, reformat demokratike, reforma zgjedhore, politika e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare, investimet në mbrojtje dhe integrimi në NATO e Bashkimin Evropian. Thaçi ka përmendur gjithashtu nevojën për raporte speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe dialogun me Serbinë. Ai ka propozuar edhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët si një mundësi për shmangien e krizave të ardhshme institucionale. Kjo mbetet intervista e fundit publike e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit në këtë proces gjyqësor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
