Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka hedhur akuza të rënda ndaj Qeverisë në detyrë, duke pretenduar se 17 zyrtarë po ushtrojnë njëkohësisht funksione si deputetë dhe ministra. Tahiri iu bashkua aksionit të PDK-së dhe Aleancës para objektit të Qeverisë, ku po kërkohet zhbllokimi i procesit për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, situata aktuale përbën një shkelje serioze të Kushtetutës dhe tregon, siç pretendoi ai, qasjen e vazhdueshme të Vetëvendosjes ndaj institucioneve. “17 njerëz janë betuar si deputetë dhe po shkojnë nga Kuvendi në ministri për të ushtruar funksione të dyfishta kundërligjshme”, deklaroi Tahiri. Ai tha se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi udhëheqjen politike të vendit, ndërsa kërkoi që deputetët të kthehen në Kuvend dhe të vazhdojë seanca konstituive. PDK-ja dhe Aleanca po e vazhdojnë aksionin para Qeverisë, duke kërkuar funksionalizimin e Kuvendit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
