Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ndërmarrë masa pas publikimit të dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë se zyrtarë të lidhur me Qeverinë e Kosovës kanë vizituar Serbinë në vitin 2024, disa muaj pas sulmit në Banjskë. Ramadani pretendon se në Serbi janë dërguar edhe vagonë të trenave të Kosovës për renovim, me mjete nga buxheti i Kosovës. Ai e ka lidhur këtë çështje me ndërmarrjen publike TRAINKOS, e cila është nën përgjegjësinë institucionale të ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Artane Rizvanolli. Ramadani ka kërkuar nga Kurti shkarkimin e Rizvanollit dhe nisjen e procedurave ndaj zyrtarëve që, sipas tij, janë të përfshirë. “Unë prita që sot në mëngjes ju do ta largoni menjëherë dhe pakthyeshëm nga ekipi juaj Artane Rizvanollin. E më pas, të fillojë procedura edhe ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë tmerr institucional”, ka shkruar Ramadani. Ai ka ngritur gjithashtu pyetje se përse zyrtarët kanë shkuar në Serbi dhe me kë janë takuar. “Dikush duhet t’i kishte marrë në pyetje këta se pse shkuan e kënd e takuan!”, ka përfunduar Ramadani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
