Kryetari Haliti mirëpret organizatorët e Samitit Rinor për Paqe

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me kabinetin e tij, mirëpriti Ambasadoren Dr. Andrise Bass, organizatore e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, si dhe Dr. Dylbere Dika, Drejtoreshë e Përgjithshme e Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.

Në takim ishte i pranishëm edhe Agim Zuzaku, Drejtor i Përgjithshëm i Hotel Gallery, ku do të akomodohen pjesëmarrësit ndërkombëtarë të Samitit.

Kryetari Haliti u uroi mirëseardhje mysafirëve dhe theksoi se Vitia këto ditë do të jetë një shtëpi e përbashkët për njerëz nga vende të ndryshme të botës. Ai ftoi institucionet dhe qytetarët që të tregojnë mikpritjen që e karakterizon Vitinë, në mënyrë që mysafirët të largohen me përshtypjet dhe kujtimet më të mira nga Komuna e Vitisë.

“Le t’i kalojmë këto ditë së bashku në frymën e paqes, miqësisë dhe respektit, duke i mirëpritur me zemër të gjithë ata që vijnë në Vitinë tonë”, u shpreh Kryetari Haliti.

Samiti i 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme 2026 do të mbahet nga data 25 deri më 29 gusht 2026 në Viti, Republika e Kosovës. Ky aktivitet organizohet nga Komuna e Vitisë, në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë.

Ky samit pritet të mbledhë qindra të rinj dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues të institucioneve, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, akademisë dhe shoqërisë civile. Qëllimi i tij është promovimi i paqes, dialogut, diplomacisë, lidershipit rinor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Samiti organizohet në bashkëpunim me Institutin e Politikave Publike dhe Kërkimeve të Diplomacisë (IPPDR), Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), International Diaspora Foundation (IDF), Landesverband Hamburg (SDW) dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Nën moton “Të gjithë së bashku për një botë në paqe”, Samiti synon të krijojë një platformë të përbashkët për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet të rinjve dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme.

Përndryshe ceremonia qendrore e hapjes do të mbahet të enjten, më 27 gusht 2026, nga ora 10:00, në Viti.

Kontrolloni gjithashtu

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka zgjatur afatin për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore

NJOFTIM NGA DREJTORIA E ARSIMIT NE DEÇAN Të nderuar maturantë, Ju njoftojmë se Ministria e …