Veterani dhe invalidi i luftës, Gazmend Bytyqi është rrahur mbrëmjen e së hënës nga Policia e Kosovës në protestën që po mbahej në sheshin “Skenderbeu” duke kërkuar votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai sot, ka paraqitur rastin në Inspektoriatin Policor të Kosovës për policët që kanë ushtruar dhunë mbi të dhe protestuesit e tjerë.
“Unë besoj në shtetin tim! Unë besoj në policinë time! Unë nuk toleroj huliganë në uniformën e Policisë. Këtë shtet e kemi krijuar me gjak, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë me gjak. Rroftë Republika e Kosovës”, ka shkruar Bytyqi, i cili aktualisht mban detyrën e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Ferizajt.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe ish Komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Gjeneral, Shukri Buja.
Gazmend Bytyqi, një plagë e gjallë e lirisë sonë…
Ishte ushtar i Njësisë Speciale në Zonën Operative të Nerodimes.
Serbia e goditi me plumba, por nuk e rrëzoi. Përballoj dhimbjen, plagët dhe tmerrin e luftës, sepse e dinte për çfarë po luftonte.
Por sot… e rrëzoi dora e një polici të shtetit për të cilin ai dhe shokët e tij derdhën gjak.
Ajo dorë nuk goditi vetëm një veteran.
Goditi plagët tua.
Goditi sakrificën tënde.
Goditi lirinë që e fituat me gjak.
Turp për atë dorë, për urdhërdhënësit dhe për këdo që hesht përballë kësaj padrejtësie!
E ti, Gazmend, mbetesh ajo që ke qenë gjithmonë: emblemë e lirisë.
Më dhemb për ty, bashkëluftëtari im.
Më dhemb edhe më shumë kur shoh se si trajtohet liria për të cilën luftuam.